Secondary Adv

Mbetjet e bllokuara në Porto Romano, Ministri i Mjedisit: Po vlerësojmë se ku do të asgjësohen

Ministria e Mjedisit po vlerëson dy alternativa për asgjësimin e rreth 2,800 ton mbetjeve të rrezikshme të kompanisë “Kurum”, të cilat prej më shumë se një viti mbahen të bllokuara në Porto Romano.

Dy opsione për asgjësimin e mbetjeve të rrezikshme

Mbi një vit pas sekuestrimit të rreth 2,800 ton mbetjeve të rrezikshme të kompanisë “Kurum”, të kthyer nga Tajlanda dhe të depozituara ende në kontejnerë në Porto Romano, ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj deklaroi se po vlerësohen dy rrugë për asgjësimin e tyre. Gjatë një konference për shtyp me gazetarët, Jaupaj sqaroi se po shqyrtohet mundësia e eksportit të mbetjeve jashtë vendit për asgjësim ose trajtimi i tyre brenda territorit të Shqipërisë.

 

Sipas ministrit, vendimmarrja do të bazohet në vlerësimet teknike të ekspertëve dhe do të zhvillohet në mënyrë transparente, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

 

“Në rast se ekspertët e agjencive vlerësojnë që ato mund të asgjësohen në territorin e Shqipërisë, Ministria dhe subjektet private janë të gatshme të japin kontributin për procesin e asgjësimit. Procesi do të jetë transparent dhe në koordinim të plotë me agjencitë përkatëse”, u shpreh Jaupaj.

 

Reforma e menaxhimit të mbetjeve dhe investimet

Deklaratat e ministrit u bënë gjatë prezantimit të reformës për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Jaupaj theksoi se kjo reformë ka hyrë në një fazë të re, atë të investimeve konkrete, me fokus të veçantë nxitjen e ekonomisë qarkulluese. Ai shtoi se puna për përmbushjen e direktivave të Bashkimit Europian, në kuadër të Kapitullit 27 për mjedisin dhe ndryshimet klimatike, po vijon pa ndërprerje.

 

Sipas ministrit, kjo reformë është pjesë e një angazhimi afatgjatë në funksion të mbrojtjes së mjedisit, shëndetit të qytetarëve dhe procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

 

9.8 miliardë euro investime për standardet mjedisore

Ministri Jaupaj deklaroi se ndër vite parashikohen rreth 9.8 miliardë euro investime për përmbushjen e standardeve mjedisore të BE-së. Kjo shumë përfshin investime në trajtimin e ujërave të ndotura, uljen e emisioneve industriale, restaurimin e natyrës dhe zbatimin e direktivave të tjera mjedisore.

 

Ai theksoi se këto investime do të ndahen në një periudhë afatgjatë tranzitore, duke pasur parasysh se edhe disa vende anëtare të Bashkimit Europian nuk janë ende plotësisht të harmonizuara me standardet e BE-së. Sipas tij, periudha tranzitore duhet të shoqërohet me angazhime të qarta financiare nga shteti shqiptar dhe sektori privat për të arritur përputhshmërinë e plotë me këto standarde.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat